Kalo te përmbajtja

KLUBI · 2016 → 2026

HISTORIA

Nga Kalaja te Proton Cable Prizreni: një histori ngritjesh, sfidash, sakrifice dhe besimi se Prizreni meriton një klub që e përfaqëson me dinjitet.

THEMELUAR
2016
SEZONE NË SUPERLIGË
7
SUPERKUPA E KOSOVËS
2021

NGA KALAJA TE PROTON CABLE PRIZRENI

Klubi i basketbollit Proton Cable Prizreni u themelua në vitin 2016, fillimisht me emrin KB Kalaja. Nga një klub i ri që nisi rrugëtimin në kategorinë e dytë të basketbollit kosovar, brenda pak vitesh arriti të bëhej pjesë e elitës, të fitonte trofe dhe të përfaqësonte Prizrenin edhe në gara mbarëkombëtare.

Historia jonë është histori e ngritjeve, sfidave, sakrificës dhe mbi të gjitha e besimit se Prizreni meriton të ketë një klub që e përfaqëson me dinjitet.

EMRAT E KLUBIT

  1. 01KB Kalaja
  2. 02KB Prizreni
  3. 03Ponte Prizreni
  4. 04Prizreni-16
  5. 05Proton Cable Prizreni
  1. 01 / 11

    2016–17

    Fillimi i rrugëtimit

    Në sezonin e parë të garave, KB Kalaja nisi rrugëtimin nga kategoria e dytë.

    Skuadra zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm, duke e përfunduar kampionatin pa asnjë humbje dhe duke siguruar menjëherë inkuadrimin në Ligën e Parë.

    Ishte vetëm hapi i parë i një projekti që kishte ambicie shumë më të mëdha.

    • SEZON PA ASNJË HUMBJE
    • NGJITJE NË LIGËN E PARË
  2. 02 / 11

    2017–18

    Nga Liga e Parë në Superligë

    Sezoni 2017–18 solli një konkurrencë të fortë, me katër skuadra që synonin ngjitjen në Superligë.

    Skuadra jonë arriti deri në finalen për biletën direkte drejt elitës. Pas humbjes në finale, mundësia e dytë erdhi përmes fazës së play-out-it, ku eliminuam KB Borea nga Peja dhe siguruam për herë të parë në historinë e klubit pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës.

    Ky edicion solli edhe një tjetër sukses të veçantë. Në Kupën e Republikës së Kosovës, në fazën 1/16, eliminuam KB Peja, duke realizuar një nga befasitë më të mëdha të garës. Më pas u kualifikuam në Final 8, të organizuar në Suharekë, duke u bërë skuadra e parë nga Liga e Parë që arrinte këtë sukses.

    • HYRJA E PARË NË SUPERLIGË
    • FINAL 8 I KUPËS — I PARI NGA LIGA E PARË
  3. 03 / 11

    2018–19

    Debutimi në Superligë

    Pas inkuadrimit në elitë, klubi hyri në një periudhë ndryshimesh. Emri ndryshoi nga KB Kalaja në KB Prizreni, ndërsa me bashkëngjitjen e biznesit gastronomik Ponte, skuadra garoi me emrin Ponte Prizreni.

    Objektivi fillestar në sezonin debutues ishte mbijetesa në Superligë. Megjithatë, skuadra tejkaloi pritshmëritë dhe arriti të siguronte playoff-in e Superligës.

    Edhe në Kupën e Kosovës vazhdoi rrugëtimi pozitiv. Në çerekfinale mposhtëm rivalin lokal KB Bashkimi, duke siguruar pjesëmarrjen në Final Four, ku rrugëtimi ynë u ndal në gjysmëfinale nga Rahoveci.

    • PLAYOFF NË SEZONIN DEBUTUES
    • FINAL FOUR I KUPËS
  4. 04 / 11

    2019–20

    Një sezon i ndërprerë nga pandemia

    Edhe sezoni 2019–20 po zhvillohej me rezultate të mira. Në kampionat, Ponte Prizreni ishte mes pozitave të larta të tabelës, ndërsa në Kupën e Kosovës arritëm deri në çerekfinale, ku u eliminuam nga KB Peja.

    Megjithatë, sezoni nuk arriti të përfundonte normalisht. Përhapja e pandemisë COVID-19 solli pezullimin e kampionatit dhe ndërprerjen e parakohshme të garave.

  5. 05 / 11

    2020–21

    Në krye të Superligës

    Sezoni 2020–21 ishte një ndër sezonet më të veçanta në historinë e klubit. Pavarësisht pandemisë, mungesës së tifozëve në palestra dhe vështirësive ekonomike, skuadra tregoi karakter dhe vazhdimësi.

    Ponte Prizreni u shpall kampion i sezonit të rregullt të Superligës së Kosovës.

    Në playoff, seria gjysmëfinale kundër KB Peja arriti në rezultatin 2–2, por përfundoi me një rezultat zyrtar 20:0 në tavolinë në ndeshjen vendimtare, duke i dhënë fund rrugëtimit tonë drejt titullit. Ishte një përfundim i dhimbshëm për një skuadër që gjatë gjithë sezonit kishte dëshmuar se ishte ndër më të mirat në vend.

    Në Kupën e Kosovës arritëm gjithashtu deri në gjysmëfinale, ku u eliminuam nga KB Sigal Prishtina. Skuadra e atij sezoni mbetet një nga gjeneratat që ka lënë gjurmë të veçantë në historinë e klubit.

    • KAMPION I SEZONIT TË RREGULLT
    • GJYSMËFINALE E KUPËS
  6. 06 / 11

    2021–22

    Superkupa vjen në Prizren

    Pas përfundimit të sezonit paraprak, drejtuesit dhe stafi i klubit vazhduan projektin pavarësisht një goditjeje të madhe financiare: largimit të sponsorit gjeneral Ponte. Klubi vazhdoi garat me emrin Prizreni-16.

    Përgatitjet për sezonin nisën shumë vonë, më 26 gusht 2021, ndërsa vetëm pesë ditë më vonë skuadra duhej të paraqitej në Final 8 të Superkupës. Ajo që pasoi u shndërrua në një nga momentet më të bukura të historisë sonë.

    Në çerekfinale mposhtëm Dritën, në gjysmëfinale Pejën dhe në finale Trepçën, për ta sjellë në Prizren Superkupën – trofeun e parë në historinë e klubit.

    Pas këtij suksesi, kompani vendore, ndër to ABI sh.p.k. dhe Autopjesë Partner, i dhanë mbështetje të rëndësishme klubit.

    Në Superligë arritëm deri në çerekfinalen e playoff-it, ku u eliminuam nga Sigal Prishtina, ndërsa në Kupën e Kosovës u ndalëm në çerekfinale nga Bashkimi. Sezoni solli edhe sukses në Ligën Unike Kosovë–Shqipëri: pas eliminimit në gjysmëfinale nga Peja, skuadra mposhti Teutën e Durrësit në ndeshjen për vendin e tretë, duke e përfunduar garën me medaljen e bronztë.

    • SUPERKUPA E KOSOVËS — TROFEU I PARË
    • MEDALJA E BRONZTË, LIGA UNIKE
  7. 07 / 11

    2022–23

    Fillimi i epokës Proton Cable Prizreni

    Në sezonin 2022–23, kompanisë së njohur Proton Cable iu bashkua projektit tonë dhe klubi mori emrin që mban edhe sot: Proton Cable Prizreni.

    Skuadra e nisi fuqishëm kampionatin dhe deri në muajin dhjetor qëndroi mes katër pozitave të para. Në vazhdim të sezonit, trajneri dhe themeluesi i klubit Arbnor Rifati u pezullua nga pozita e trajnerit. Kjo periudhë ndikoi ndjeshëm në vazhdimësinë e ekipit dhe rezultatet filluan të bien.

    Kampionatin e përfunduam në pozitën e shtatë. Në play-out u përballëm me KB Bora, të cilën e eliminuam pas dy ndeshjeve, duke siguruar vazhdimësinë në Superligë.

    Në Kupën e Kosovës arritëm deri në çerekfinale, ku u eliminuam nga Golden Eagle Ylli. Në Ligën Unike skuadra ishte në pozitën e parë, por gara nuk arriti të përfundonte për shkak të problemeve që çuan në pezullimin e saj.

    • PROTON CABLE PRIZRENI — EMRI I RI
  8. 08 / 11

    2023–24

    Edhe një betejë për mbijetesë

    Sezoni 2023–24 ishte në shumë aspekte vazhdimësi e sezonit paraprak. Proton Cable Prizreni e përfundoi kampionatin në pozitën e shtatë dhe duhej të luftonte përsëri për mbijetesën përmes barazhit.

    Përballë New Basket, skuadra arriti objektivin dhe siguroi edhe një sezon në elitën e basketbollit kosovar. Në Kupën e Kosovës arritëm përsëri në çerekfinale, ku u eliminuam nga Sigal Prishtina.

  9. 09 / 11

    2024–25

    Fundi i një cikli shtatëvjeçar në elitë

    Sezoni nisi me shumë entuziazëm dhe me rikthimin e Arbnor Rifatit në pozitën e trajnerit pas një mungese prej rreth 20 muajsh. Por klubi tashmë po përballej me një realitet të ri financiar: diferenca mes buxhetit tonë dhe buxheteve të skuadrave të tjera të Superligës ishte rritur ndjeshëm.

    Pavarësisht përpjekjeve dhe një sezoni të luftuar deri në fund, pas shtatë viteve radhazi në elitën e basketbollit kosovar, Proton Cable Prizreni ra nga Superliga.

    Në Kupën e Kosovës vazhduam traditën e paraqitjeve të mira, duke arritur përsëri në çerekfinale, ku u eliminuam nga Trepça. Rënia nga Superliga nuk u pa vetëm si fundi i një cikli, por edhe si moment për të reflektuar mbi të ardhmen e klubit.

    • 7 SEZONE RADHAZI NË SUPERLIGË
  10. 10 / 11

    2025–26

    Një filozofi e re

    Pas rënies nga elita, sezoni 2025–26 ishte një moment vendimtar: të vazhdonim apo të ndaleshim? Mbështetja e bizneseve dhe njerëzve që besuan në klub edhe pas rënies bëri që projekti Proton Cable Prizreni të vazhdonte.

    Pas një analize të thellë, drejtuesit e klubit vendosën të ndryshonin filozofinë sportive. Realiteti financiar tregonte se klubi nuk mund dhe nuk duhej të hynte në një garë të pakontrolluar buxhetesh me skuadra që dispononin mjete shumë më të mëdha financiare.

    Prandaj u mor një vendim strategjik: më shumë hapësirë për lojtarët e rinj, zhvillim afatgjatë dhe ndërtim i një skuadre mbi baza të qëndrueshme.

    Rezultatet erdhën menjëherë. Proton Cable Prizreni u shpall kampion i sezonit të rregullt me vetëm një humbje, ndërsa arriti deri në finalen e playoff-it. Skuadra arriti gjithashtu në finalen e Kupës së Kosovës, duke dëshmuar se një filozofi e bazuar në punë, zhvillim dhe besim te lojtarët mund të prodhojë rezultate edhe përballë diferencave të mëdha financiare.

    • KAMPION I SEZONIT TË RREGULLT — 1 HUMBJE
    • FINALIST I PLAYOFF-IT
    • FINALIST I KUPËS SË KOSOVËS
    Proton Cable Prizreni gjatë një sulmi
  11. 11 / 11

    2026–27

    Rrugëtimi vazhdon

    Në sezonin 2026–27, Proton Cable Prizreni vazhdon me të njëjtën filozofi. Fokusi ynë mbetet zhvillimi i lojtarëve të rinj, krijimi i mundësive për talentet vendore dhe ndërtimi i një klubi të qëndrueshëm, që nuk mat suksesin vetëm me një rezultat apo një sezon.

PËRMBLEDHJE

HISTORIA
NË NJË VIJË

  1. 2016Themelohet KB Kalaja
  2. 2016–17Sezon pa humbje dhe ngjitje në Ligën e Parë
  3. 2017–18Hyrja e parë në Superligë dhe Final 8 i Kupës
  4. 2018–19Debutim në Superligë — playoff — dhe Final Four i Kupës
  5. 2019–20Sezoni ndërpritet nga pandemia COVID-19
  6. 2020–21Kampion i sezonit të rregullt të Superligës
  7. 2021Superkupa e Kosovës — trofeu i parë
  8. 2021–22Medalja e bronztë në Ligën Unike Kosovë–Shqipëri
  9. 2022Bëhet Proton Cable Prizreni
  10. 2024Mbijetesë përmes barazhit kundër New Basket
  11. 2025Pas shtatë vitesh në elitë, rënia nga Superliga
  12. 2025–26Kampion i sezonit të rregullt, finalist i playoff-it dhe i Kupës
  13. 2026–27Rrugëtimi vazhdon me lojtarë të rinj

PRIZREN · QË NGA 2016

ONE TEAM.HISTORIA JONË NUK KA PËRFUNDUAR.AJO VAZHDON TË SHKRUHET.

HISTORIA JONË NUK KA PËRFUNDUAR

Nga Liga e Dytë në Superligë. Nga një klub i ri te fituesi i Superkupës. Nga sfidat financiare te ndërtimi i gjeneratave të reja.

Që nga viti 2016, ky klub ka kaluar fitore, humbje, trofe, padrejtësi, rënie dhe rikthime. Por në çdo etapë ka vazhduar të luftojë dhe ta përfaqësojë Prizrenin. Historia jonë nuk ka përfunduar. Ajo vazhdon të shkruhet.

Nga KB Kalaja te Proton Cable Prizreni, emri ka ndryshuar gjatë rrugëtimit, por identiteti dhe qëllimi kanë mbetur të njëjta.